Kombëtarja U-19 për vajza ka nisur të dielën grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të Kampionatit Europian 2024 ndaj Qipros, Lihtenshtejnit dhe Skocisë.
Nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi, skuadra po zhvillon seancat stërvitore në ambientet e kompleksit ‘Tropikal’ në Durrës. Ditën e sotme, vajzat kuqezi kanë zhvilluar dy seanca stërvitore, duke marrë ngarkesë të plotë fizike, teksa trajneri ka provuar situata të ndryshme loje dhe vendosje të ndryshme taktike.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollistja Isabelle Kuçi nuk do të jetë pjesë e ekipit në këto ndeshje për shkak të një dëmtimi në tendinë, që ia bën të pamundur aktivizimin në fushën e lojës. Pas testeve mjekësore dhe konsultimeve është dalë në konkluzionin se mbrojtësja nuk është e gatshme të japë kontributin e saj në këto ndeshje.
Pjesa tjetër e skuadrës gëzon shëndet të plotë dhe është në formë të mirë fizike në prag të ndeshjes së parë ndaj Qipros, që do të luhet të mërkurën në stadiumin ‘Elbasan Arena’ duke nisur nga ora 15:30.
Raundi i dytë i kualifikueseve të Kampionatit Europian 2024 për këtë kategori do të zhvillohet në Shqipëri, në stadiumin ‘Elbasan Arena’ dhe në ‘Shtëpinë e Futbollit’ nën mbikëqyrjen dhe organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, me ndeshjet që do të luhen në datat 3, 6 dhe 9 prill.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co