Ruben Amorim i është drejtuar një trajneri atletike lider në botë në një përpjekje për të transformuar Mançester Junajtidin. Që kur trajneri portugez mbërriti në “Old Trafford” në nëntor, Amorim ka pasur një periudhë të vështirë, duke fituar vetëm shtatë nga 17 ndeshjet e tij në krye.
Junajtid ka treguar shenja të lehta përmirësimi në javët e fundit me tre fitore në katër ndeshjet e fundit, por “Djajtë e Kuq” renditen në vendin e 12-të në Premier Ligë, 12 pikë larg katër vendeve të para. Amorim nuk ka pasur frikë ta kritikojë skuadrën e tij, me 40- vjeçarin që së fundmi e ka etiketuar ekipin e tij “ndoshta më të dobëtin në historinë e klubit”, ndërkohë që ai ka qenë gjithashtu kritik për paraqitjen e tyre në stërvitje, madje ka nënvizuar edhe problemeve fizike të yjeve të tij, duke përmendur nivelet e yndyrave në gjak. Që prej marrjes së detyrës në nëntor, Amorim pranoi se ishte i shqetësuar nga gjendja fizike e lojtarëve.
“The Times” ka zbuluar së fundmi se Herri Marra, një trajner legjendar atletik i Lojërave Olimpike, 78-vjeç, i është bashkuar klubit si konsulent, i ngarkuar për të përmirësuar gjendjen fizike të Junajtidit. Marra, i cili udhëhoqi dekatletin amerikan Eshton Itën drejt dy titujve olimpikë në 2012 dhe 2016, u emërua trajneri më i mirë i atletikës në botë në vitin 2016, ndërsa ka punuar edhe me disa atletë të tjerë elitarë të shumë formateve. Ai ka qenë i përfshirë në mënyrë të ngjashme në ekipin e bejsbollit, San Fransisko Xhaiants, ku shërbeu si konsulent i tyre i shpejtësisë dhe fitnesit.
Marra, tani po punon me stafin e shkencave të fitnesit dhe sportit të Mançester Junajtid, ndërsa detyra e tij është të ndajë ekspertizën. Amerikani pritet të qëndrojë në klub vetëm për disa javë, por mundësia për të marrë dijet e një figure kaq legjendare në atletikë thuhet se ka shkaktuar emocione në “Old Trafford”. Ardhja e Marrës vijon modelin që po ndjek Mançester Junajtid për sjelljen e figurave shumë të respektuara nga një sërë fushash dhe sportesh, me qëllim për të ndarë njohuritë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e stafit në klub.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL