Orges Shehi, trajneri i Partizanit analizoi barazimin 1-1 me Laçin.
“Një pikë s’mund të them që është shumë apo pak, por ka vështirësi të luash me 1 lojtar më pak për shumë minuta. Në kushtëzoj shumë ai karton i kuq dhe më pas ndërrimi i Hadrojt. Laçi ka cilësi dhe djem të rinj që luajnë mirë dhe sidomos në fushën e tyre janë të fortë. Skuka nuk ka dëmtim, por ai vuan nga stomaku. Edhe në stërvitje ka patur problemin e njëjtë”, u shpreh fillimisht Shehi.
Pse vuajtët 20 minutat e para?
“Ne vuajtëm në fillim sepse ishim vonë në presion dhe lojtari jonë në krah konsumonte shumë për të mbyllur zonat, kur Cara shkonte në presion. Duke shkuar vonë nga krahu jonë i majtë ia lejonim Laçit që të luante lirshëm. Por më pas ishim më mirë edhe në ndërtim, duke përforcuar mesin e fushës. Por kur del në inferioritet numerik, konsumohen të gjithë. Në pjesën e dytë ne morëm golin shumë shpejt dhe ajo pastaj na kushtëzoi. Unë mendoj që na u shkëput reparti i mbrojtjes dhe mesfushës dhe ata ishin pa markim. Të dalësh barazim është shumë më mirë se të humbësh. Futbolli ka episode që nëse do t’i zgjidhnim më mirë do ishte ndryshe. Por lodhja ka ndikim. Disa fragmente me Hadrojn që shkuam lart, por ai nuk goditi mirë që mund të finalizonte. Edhe kjo është kosto fizike.”
A ju shqetëson dalja e tre lojtarëve sot dhe a mund të rikuperoni?
“Është një periudhë ndeshjes delikate pasi luajmë me rivalët tanë direkt. Përsa i përket dëmtimeve, mendoj se Skuka nuk ka ndonjë problem. Shpresoj t’i zgjidhet kjo situata e problemeve shëndetësore. Hadrojn mund ta lëmë ndonjë ditë pushim për t’u rikuperuar pasi po konsumohet. Shpresoj këtë javë të na kthehet Mehmeti.”
Skuadra juaj a të duket më e lodhur fizikisht se detyrat që ti u jep?
“Varet se në çfarë situate e bën konstatimin. Dalim me një mangët dhe jemi ne kontrollues në lojë. Ndërsa në pjesën e dytë patjetër që do të konsumohet skuadra. Dihet që ne kemi vështirësi në terrenin ku stërvitemi dhe vijmë në bar natyral 1 herë në javë.”
Mikulic është transferuar te Partizani për të mësuar futbollin apo për titullar?
“Ai ka nevojë të përshtatet. Çdo lojtar bën gabime. Detyra ime është të inkurajoj lojtarët. Duhet t’i jap mbështetje.”
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co