Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ishte mëngjesin e kësaj të marte pjesë e emisionit “Dita Jonë” në A2 CNN me dy moderatorët Kristi Martiro dhe Aulona Minga. Përmes një lidhjeje direkte, Presidenti Duka foli për ceremoninë e “Topit të Artë” të organizuar nga FSHF mbrëmjen e kaluar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Një mbrëmje që nderoi djemtë e vajzat që kontribuojnë në një vit futbolli në Shqipëri.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për ligjin e sponsorizimit dhe rikthimin e basteve teksa tregoi se i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që futbolli dhe sporti të ketë mbështetje financiare nga shteti.
Presidenti Duka foli edhe për turin nëpër Europë të trajnerit të Kombëtares, Sylvinho, i cili po ndjek nga afër futbollistë që mund t’i grumbullojë për kualifikueset e Botërorit ndërsa tregoi lojtarët të cilët ka në fokus Kombëtarja shqiptare.
Ceremonia “Topi i Artë” – Kishte emocione, sidomos për ne. Uroj të ketë qënë një gjë e mirë, ndryshe që ta promovojë edhe më shumë lojën tonë. Nga pikëpamja organizative ishte një gjë më e bukur dhe më e detajuar. E organizuar deri në detaj. Kjo vjen si rezultat i eksperiencës dhe i bashkëpunimit me njerëzit e duhur që dinë ta bëjnë më mirë spektaklin. Stafi i FSHF-së është angazhuar dhe lodhur shumë për këtë spektakël, por edhe ajo që ne dimë të bëjmë më mirë është që të organizojmë një ndeshje futbolli. Kemi gjetur njerëzit e duhur për të ndërthurur dhe për të organizuar mirë një spektakël sportiv. Mendoj se ia kemi dalë, ka qenë vërtetë më i bukur në krahasim me më parë. Edhe pagëzimin e kemi vënë “Topi i Artë” me qëllimin e vetëm që të promovojmë dhe të falënderojmë ata që kanë kontribuar në një vit futbolli në Shqipëri. E meritojnë çunat dhe gocat tona të festojnë dhe dje festuam të gjithë.
Çmimi “Topi i Artë” për Bekim Balaj – Bekimi është një shembull për t’u ndjekur dhe ky është qëllimi i mbrëmjes. Futbollistët të kenë objektiva, njerëzit t’i ndjekin si shembuj për t’u bërë si ata. Bekimi i meriton dhe të gjithë ata futbollistë/e që morën çmime mbrëmë, i merituan. Nëse do të luajnë në Shqipëri apo jashtë, e rëndësishme është të luajnë futboll. Të luajnë mirë dhe të rrisin nivelin e tyre. Kampionati ka për detyrë të rrisë nivelin.
Gara për fituesit – Siç ju e patë, votimin për futbollistin më të mirë të vitit për ekipin kombëtar, në të njëjtën mënyrë transparente janë bërë të gjitha votimet. Fituesit janë zgjedhur nga vetë aktorët e futbollit. Për të qenë i sinqertë, nuk i di rezultatet fiks nëse ka pasur apo jo diferencë te trajnerët apo te “Topi i Artë”. Vlerësimet janë subjektive. E rëndësishme është që të respektohen të gjithë.
A votuan gazetarët? – Po, kanë votuar në formacionin e vitit 2024. Në “Topin e Artë” kanë votuar trajnerët dhe kapitenët e skuadrave të “Abissnet Superiore”.
Ligji i sponsorizimit? – Në fjalën time një vit më parë i kam thënë Kryeministrit që sa herë të më kesh përballë do të kërkojë që të kontribuosh për ligjin e sponsorizimit. Doja të respektoja praninë e tij në sallë. Kërkesa për një gjë të parealizuar padyshim që është kritikë dhe nuk doja që të bëja kritika, por vetëm falënderime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar. Mos mendo që nuk e kam bërë këtë gjë jashtë ekranit, apo protokollit. E kam kërkuar përsëri dhe vazhdoj të insistoj. Është një gjë shumë e rëndësishme, futbolli dhe jo vetëm i gjithë sporti në Shqipëri ka nevojë për mbështetje financiare. Çdo njeri, çdo politikan duke filluar nga Edi Rama dhe të gjithë të tjerët që mendojnë se futbolli duhet të prodhojë për të mbajtur veten. Mund të prodhojë niveli i lartë dhe klube të rëndësishme, por si mund të prodhojë Erseka, Maliqi, Puka apo Tropoja për të zhvilluar futbollin. Padyshim që duhet një mbështetje financiare dhe qeveria duhet të gjej mënyrën. Ajo që ne kemi propozuar është eksperienca e vendeve të tjera, ne nuk kemi shpikur asgjë. Kemi propozuar atë që pothuajse bëjnë të gjithë shtetet e Europës, atë që bëjnë shqiptarët tanë në Kosovë dhe madje Kosova do ta kalojë Shqipërinë. Në nivelin e klubeve Kosova vërtetë e ka kaluar Shqipërinë. Kjo është e vetmja gjë që ka më mirë Kosova, ligjin e sponsorizimit. Ne kemi organizim të mirë në përgjithësi mbase më të mirin në rajon. Kemi infrastruktur të kënaqme për nivelin profesional, por jo të mjaftueshme për të gjithë numrin e futbollistëve që në duam të luajnë futboll. Kushdo që flet kundër ligji të sponsorizimit është dashakeqës, nuk e do futbollin, nuk e do sportin dhe nuk do që ne të kemi pavarësi dhe të bëjmë hapa pozitiv. Unë uroj shumë dhe i thashë dje Kryeministrit që bëje tani para zgjedhjeve, pse duhet të presim. Buxheti për sportin në Shqipëri është 1 milion euro, nga ky buxhet për futbollin që nga viti 2002 fatkeqësisht është zero. Me përjashtim të dy viteve të fundit që në mënyra spontane le të themi që nga buxheti është dhënë diçka për futbolli, por që është minimale krahasimisht me atë që ne organizojmë. Mbrëmë në fjalën time kam përmendur vetëm dy shifra. Në Shqipëri Federata e Futbollit ka organizuar gjatë vitit 2024 14.670 ndeshje futbolli në 154 kampionate kombëtare dhe rajonale. Ne kemi rreth 10 ekipe Kombëtere me të cilat përfaqësohemi, a e dini se sa shumë financa duhen për kto. Vetëm për një transfertë të ekipit tonë në Angli kostoja jonë është 250 mijë euro. Si do ta bëjë një klub nëse do të shkojë të luajë në Angli, do të shkojë me tre ndalesa, akomodim jo i mirë dhe padyshim do të performojë keq. Ne kemi një realitet, që nga viti 92 që kemi ndryshuar sistemin, deri në vitin 2024 buxheti ka qenë pothuajse zero.
Turi i Silvinjos në Europë. A ka ndonje emër të ri? Gruda, Rocco Vata? – Politika jonë është të afrojmë çdo lloj futbollisti, edhe pse ndonjëherë kjo na bie ndesh me Federatën e Kosoves. Ne i kemi dyert e hapura për çdo shqiptar që luan futboll, pavarësisht se ku jeton apo ka jetuar ai. Ka shumë futbollistë që vetëofrohen në mosha të ndryshme për të luajtur me Kombëtaren, por ka edhe pak nga ata që ne kërkojmë t’i bindim për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar. Një prej tyre është Gruda, i cili ka luajtur me ekipet e moshave të Gjermanisë, kemi kërkuar që t’i bashkohet Shqipërisë, por nuk ka një përgjigje pozitive në këtë moment, por gjithësesi ne mbetemi të hapur që ai të jetë futbollist i Kombëtares shqiptare. E njëjta gjë vlen edhe për futbollistët e tjerë, Vata, Hasa, Ibrahimoviç, të cilët kanë kualitet për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar. Nuk kemi qenë të suksesshëm me këto emra që përmenda. I kemi kontaktuar, duke nisur nga unë personalisht, bashkë me stafin administrativ e teknik, Silvinjo etj, por pa sukses. Ka edhe emra të tjerë, më të rinj, disa janë bashkuar me ekipeve tona. Një talent shumë i madh për mua, që luan për moshat e Bayern, Ylli Gashi, është potencial për Shqipërinë. Ivan Balliu është shumë i lumtur që ka vendosur të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe mendoj se është vendimi më i drejtë që ka marrë në karrierën e tij. Unë në të gjitha takimet që kam bërë me prindër apo futbolistë, u kam thënë të njëjtën gjë: Nëse do të merrni vendim për të luajtur me Shqipërinë do të bëni gjënë e duhur, dhe këtë nuk e them nga pozicioni i presidentit të federatës, por edhe nëse do të isha prind vetë.
Kujtoj një bisedë të asistentit të Silvinjos, Pablo Zabaleta me një futbollist në Angli, ku i tha: Unë kam luajtur futboll në nivele të larta, kam luajtur futboll për Manchester City, kam bërë edhe para me futbollin, por futbolli i vërtetë është ai që kam luajtur me Argjentinën. Nuk ka ndjesi më të madhe sesa të luash për Kombëtaren tënde. Përveç kësaj, pa shitur patriotizëm, edhe nga pikëpamja pragmatiste, mundësitë dhe hapësirat për të luajtur në një ekip me më pak konkurrencë si Shqipëria, sesa për Gjermaninë, Italinë apo Francën, janë më të mëdha. Në fund, karriera e një sportisti nuk cenohet nëse luan për Shqipërinë apo Gjermaninë, përkundrazi, mund të ndihmohen më shumë, sepse kanë më shumë hapësirë.
Unë nuk besoj se aktivizimi i Lorik Canës me Shqipërinë e ka cenuar karrierën e tij, përkundrazi, ai ka bërë një karrierë shumë të mirë dhe ka lënë gjurmë në historinë e futbollit kombëtar shqiptar dhe europian. Edhe futbollistët e tjerë, si kapiteni jonë i sotëm, Berat Gjimshiti, i cili e ka filluar karrierën në Zvicër dhe është shumë i lumtur që luan me Shqipërinë. Ndahen opinione të ndryshme, ka disa që thone se përderisa një lojtar ka mundësinë të luajë për Italinë apo Gjermaninë, ç’do të luajë për Shqipërinë? Për mua është gabim, zgjedhja e parë duhet të jetë Shqipëria për çdo futbollist. Do të zbuloj edhe një bisedë që kam bërë me futbollistin Ylli Gashi dhe babain e tij në Mynih para një muaji, i thashë që nëse ju nuk do të vendosni që Ylli të luajë për Shqipërinë, të paktën të luajë për Kosovën, që vërtëtë, kur të gëzojë të gëzojë shqip dhe kur të shajë, të shajë shqip.
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news