Më 22 tetor 2021, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Ceno Klosi do të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, në konflikt të hapur interesi me detyrën, konflikt i cili është në vazhdimësi.
Në episodin e kaluar, “Vetting” do të zbulonte me anë të dokumenteve zyrtare, transaksionet financiare të kompanisë së Klosit në offshoret e Londrës, “First Bar Limitid”. Por pas zbulimit të konfliktit të interesit dhe falsifikimit të formularit të vetdeklarimit nga Klosi, nga Anglia zbulohen fakte të reja që rëndojnë mbi kreun e Tatimeve.
“Vetting” ka siguruar nga burime konfidenciale informacione të cilat zbulojnë se Klosi është njëri nga tre pronarët e një hoteli prestigjioz në Londër.
“Biznesi në Mbretërinë e Bashkuar në të cilin Klosi zotëron 33% të aksioneve, First Bar Limited, ka në zotërim të drejtën e leasehold për një pub në Surrei- Foresters Arms në Hampton Uick, të cilën e bleu më 31 maj 2019 për 108 mijë paund”- tha një burim për Vetting.
[embedded content]
Liz’hold (Leasehold) është një formë e marrjes me qira të tokës ose pronës, ku njëra palë blen të drejtën për të zënë tokë ose një ndërtesë për një kohë të caktuar.
Nga të dhënat në faqen zyrtare të kësaj prone të paluajtshme zbulohet se ky hotel me restorant dhe pub-i është krijuar në vitin 1861. Madje pas ndryshimit të menaxhimit te “The Foresters Arms” është ndryshuar pjesërisht dekorimi, ku kompania ka bërë investime të reja.
Nga dokumentet zyrtare zbulohen detaje të tjera për transaksionet e këtij hoteli, të cilat “Vetting” i ka siguruar nga Regjistri i Tokës ose HM Land Registry, i cili është pjesë e Departamentit për Nivelimin, Strehimin dhe Komunitetet, që varet nga Sekretari i Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar.
Në dokumentin e datës 20 mars 2022, kompania “First Bar Limitid” konfirmohet si zotëruese e këtij hotel – pubi, me adresën fillestare të kompanisë. Aty evidentohet edhe shuma e blerjes së kontratës, e cila konfirmon transaksionin me vlerë 108 mijë paund.
Avokati Redi Ramaj thotë për vetting se: “Rasti kur kemi të bëjmë me veprimtari ekonomike, pra restorante, hotele veprime të tjera të drejtpërdrejta, unë mendoj se kanë të bëjnë me shtimin e pasurisë të një zyrtare dhe patjetër duhet patjetër të deklarohen. Në momentin që janë edhe biznese të regjistruara me NIPT atëherë është kategori e padiskutueshme që ka të bëjë me formularin e vetdeklarimit.”
Mosdeklarimi i këtij aseti në mënyrë specifike, e ka bërë Ceno Klosin subjekt të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive”, ku zyrtarët e lartë duhet të deklarojnë në çdo rast pasuritë që ata zotërojnë.
Sipas ligjit nr.9049, “Neni 4, pika a:
Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të interesave private, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:
a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to;”
Në asnjë moment nuk zbulohet ky aset nga Ceno Klosi në deklaratën fillestare në ILDKPKI, duke shtuar numrin e shkeljeve që ka bërë kreu i Tatimeve.
Por si nisën problemet e Klosit me kompanitë në offshoret e Londrës?
Në Janar 2019, Ceno Klosi do të bëhej një nga ortakët e kompanisë “First Bar Limitid” me seli në Londër, së bashku me Redin Dokaj dhe Ritvan Dhamo.
Klosi zotëronte 33% të aksioneve, siç i ka edhe aktualisht, por problemet e tij me këtë kompani do të fillonin kur do të kalonte në krye të AKUM-it.
Në formularin e dorëzuar te Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Klosi nuk do të deklaronte se kishte përfituar kredi në 5 maj 2020 nëpërmjet kompanisë “First Bar Limited” nga bankat britanike.
Nga dokumentet zyrtare, ai nuk ka deklaruar Fondin e Përbashkët të kompanisë me vlerë 33 mijë paund për vitin 2020 dhe me vlerë 121 mijë paund për vitin 2021. Gjithashtu kompania ka patur llogari bankare me vlerë 18 mijë paund në vitin 2020, të cilat janë 4-fishuar në 72 mijë paund në vitin 2021.
Por ky është problemi më i vogël sepse gjërat u komplikuan kur bankieri nga Fieri vendosi të kalonte në krye të Administratës Tatimore. Ngelet mister se si Klosi ka pranuar të marrë një post, i cili me fshehjen e kompanisë do ta vendoste përballë shkeljeve të Kodit Penal.
“Vetting” ka zbuluar se Klosi nuk ka hequr dorë nga aksionet e kompanisë dhe të vetëdeklarimi i formularit të pasurisë.
Akoma më i paqartë ngelet fakti se pse Ceno Klosi nuk dha dorëheqjen nga aksionet e kompanisë në Londër, ku edhe sot e kësaj dite rezulton aksioner në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike. Sipas nenit 22, të këtij ligji, Ceno Klosit i ndalohet që të zotërojë aksione ose pjesë në kapital, si dhe çdo lloj përfitimi tjetër, që nuk buron nga zotërimi pasiv, nga shoqëritë tregtare.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co