Sekretariati për procedurat e votimit do të mblidhet gjatë ditës së nesërme ku do të shqyrtojë kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për anulimin e seancës së 7 marsit.
Mbledhja pritet të nisë rreth orës 11:30 minuta në sallën e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Në këtë seancës, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, hodhi për votim pesë projektligje, mes të cilave edhe propozimin kontrovers për shtyrjen e afatit të ligjit për Investimet Strategjike deri më 31 dhjetor 2024.
Deputetët socialistë ngritën kartonët jeshilë dhe brenda pak minutash, ligjet u konsideruan të miratuara. Procesi i votimit vazhdoi edhe pasi deputetët e opozitës i kujtuan drejtueses së seancës, Felaj, se nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të vazhduar me procesin e votimit.
Që një proces votimi të quhet i vlefshëm duhet të marrin pjesë 70+1 deputetë, ndërkohë që në seancën e 7 marsit votuan për prezencën e tyre në procesin e votimit 68 deputetë, shifër që konfirmohet dhe në procesverbalin e zbardhur dhe të publikuar në faqen e Kuvendit.
Njëzet ditë më vonë, situata në Kuvend ka ndryshuar dhe deputetët e opozitës kanë zënë vendet e tyre pas një pakti të arritur me mazhorancën për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Megjithatë, legjitimiteti i votimeve të 7 marsit është rikthyer për diskutim në Kuvend, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka kërkuar anulimin e votimit dhe përsëritjen e tij, duke pretenduar se procesi ka qenë në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
“Për të pesë projektligjet e votuara, numri i deputetëve që kanë marrë pjesë në votim ka qenë më i ulët se kuorumi minimal i kërkuar nga neni 78, pika 1, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 55, pika 2, e Rregullores së Kuvendit”- argumenton Bardhi në kërkesën e tij.
Bardhi pretendon në letrën e tij drejtuar Kuvendit se “shkelja është kryer me dashje të plotë”, duke kujtuar se ata e kishin paralajmëruar nënkryetaren Felaj për mungesën e kuorumit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co