Falë një marrëveshjeje huaje me Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim, do të investohen 75 milionë euro në sistemin e pastrimit dhe pajisjeve me impiantë të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nga mbledhja e sotme e qeverisë.
“Miratuam një marrëveshje shumë të rëndësishme kredie me Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim, prej 75 milionë eurosh për të investuar gjithë sistemin e pastrimit dhe të pajisjeve dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës. Siç e dimë, lumi i Vjosës tashmë është Park Kombëtar i rëndësisë më të veçantë, park kombëtar i lumit të fundit të egër në Europë, por nuk mund të kemi një park kombëtar të tillë nëse nuk merremi me gjithë sistemin e mirëmbajtjes që nuk është thjesht fauna dhe flora që shohim, por është menaxhimi i të gjithë jetesës të gjithë komuniteteve dhe bashkive të cilat praktikisht lagen nga lumi i Vjosës duke filluar nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Memaliaj. Por gjithashtu edhe degët, sidomos dega më e rëndësishme që është lumi Drinos – me Gjirokastrën si bashki, duke përfshirë dhe duke shkuar deri në Selenicë ku kemi dhe një tjetër degë të rëndësishme të këtij lumi që është lumi i Shushicës. Është një punë e gjatë që kurorëzohet sot, një negociatë shumë e gjatë dhe përgatitje teknike edhe studimore”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ky investim do të menaxhohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të jetë edhe agjencia zbatuese, bashkë me të gjitha bashkitë që do të jenë pjesë e projektit me të cilat është punuar në këto dy vite e gjysmë që kanë zgjatur gjithë negociatat.
“Nuk është thjesht investim në infrastrukturë, është gjithashtu program asistence për bashkitë me një program 3-vjeçar mbasi të mbarojë gjithë investimi, si edhe program asistence për bizneset që do të orientohen të gjitha drejt ekoturizmit siç e kërkon zona”, përfundoi ministrja Kumbaro duke theksuar prioritetin për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co