Anëtari i Kryesisë së PD-së zyrtare Fitim Zekthi, në një intervistë me moderatoren Ina Qirjo në rubrikën Opinion në News24, ka komentuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.
Zekthi theksoi se edhe kryeministri Edi Rama është i tmerruar nga SPAK. Për Zekthin, arrestimi i Goros është lajm i mirë, duke shtuar se drejtësia po prek të paprekshmit.
“Drejtësia po jep shenja se ata që kanë pasur ose kanë pushtet po shkojnë para gjykatës. Ky është ndoshta lajmi i mirë i kësaj Shqipërie të mjerë. Në hetim janë zyrtarë tepër të lartë dhe kjo është diçka e mirë. Gjëja më e padrejtë është që ai që është i dobët të shkojë në burg për gjënë më të vogël dhe ata që janë në pushtet të mos përgjigjen përpara drejtësisë. SPAK sidoqoftë ka probleme. SPAK nuk e ka të lehtë të hetojë.
Paraja e madhe korruptive ushtron shumë presion, deri në kërcënime të prokurorëve, por SPAK po bën një gjë të mrekullueshme. Rama është i tmerruar për vete nga SPAK. Po hetohen njerëz pranë tij. Edhe sepse sot janë në burg njerëzit më të afërt të Ramës. Po vijnë lajme të mira nga drejtësia. Ata që mendojnë ndryshe, mendoj se nuk e duan drejtësinë”, u shpreh Zekthi.
Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Zekthi vlerësoi se Zgjedhorja “ka vdekur”. Sipas Zekthit, zgjedhjet e 2025 do të mbahen me këtë Kod Zgjedhor, pasi kështu i intereson Berishës dhe Ramës.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co