Emisioni investigativ, “Vetting” në News24 ka zbardhur disa fakte të panjohura për publikun për licencat e firmosura nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjikes, Belinda Balluku, të cilat sipas raporti të KLSH, por edhe ekspertëve janë dhënë me shkelje procedurale, por edhe në konflikt të dyshuar interesi. Vetting hedh dritë mbi kompanitë që kanë përfituar nga firmat e Ballukut, lidhja e tyre me ministren, si dhe shkeljet që janë zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Por Çfarë fshehin ankandet me koncesionin e Parqeve Fotovoltaike?
Dy shtetas portugez, të paidentifikuar e të pa përfaqësuar me nënshkrim me asnjë dokument zyrtar, kanë themeluar një nga kompanitë më të mëdha në këtë fushë. Joao Manuel Da Silva Boavida Malcata dhe Gustavo Manuel Ferreira Fernandes kanë mandatuar 3 persona në Shqipëri për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, transaksion apo aplikim në zyrat e shtetit shqiptar pa kryer një akt noterial, siç parashikon ligji.
Portugezët, identiteti i të cilëve është ende i paqartë, janë aksionerë dhe administratorë në kompanitë Spitalla Solar, Karavasta Solar dhe Voltalia. Parku fotovoltaik i Karavastasë i cili është cilësuar si më i madhi në vend, është fituar nga kompania Voltalia S.a., por ajo nuk do të ndalej këtu pasi më 25 mars 2021, “Voltalia” do arrinte të fitonte një tjetër projekt në Spitallë të Durrësit me ofertën vetëm 29 Euro/MVV në garë me kompaninë kineze “Universal Energy Co. Ltd”. Kjo marrëveshje është firmosur nga zv. kryeministrja aktuale Belinda Balluku.
Por projektet fotovoltaike ngrenë edhe më shumë pikëpyetje për natyrën e investimit të tyre, kur bëhet fjalë për dhënien e pronave shtetërore dhe private të marra nga pronarët për 25 apo 30 vite, pra me kushtet e një koncesioni. Sikur të mos mjaftonte kaq, VOLTALIA , e cila u inspektua për punimet e saj në terren nga qeveria me më 20 janar të vitit 2020, në regjistrin e saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton për herë të parë 8 muaj më vonë, me 20. 08. 2020.
Pra, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duket se, pa pasur asnjë dosje të përgatitur nga një kompani private, i hapi asaj rrugën për të funksionuar në pronat e shqiptarëve. Për këtë çështje është depozituar një kallëzim penal në SPAK edhe nga avokati Kujtim Cakrani, i cili e ka investiguar këtë problematikë edhe në mënyrë private.
100 milionë eurot për t’u investuar me kritere të plotësuara i kishin vetëm 5 nga 30 kompani ndërkombëtare, por çuditërisht fituese do të shpallej pikërisht kjo kompani, pa identitet dhe e paverifikueshme nën emrin e një kompanie franceze, sepse ka kompani fundore të paverifikueshme në Hollandë. Gati 200 hektarë tokë mes Fierit dhe Vlorës do të jetë torta e madhe me qershinë, mbi të e cila do të pasurojë Shqipërinë me energji elektrike përmes paneleve diellore për plot 30 vite.
Ndonëse ministria e linjës apo drejtuesja e saj, Belinda Balluku, nuk e pranojnë publikisht se bëhet fjalë për një koncesion. Këtë fakt e konfirmon vetë, sipërmarrësja VOLTALIA, në faqen e saj zyrtare, në një deklaratë për shtyp nga Voltalia “Ky projekt 100 MVV i quajtur Spitalla, u fitua pas një tenderi të shpallur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëntorin e kaluar (nëntor 2020). Voltalias i është dhënë një kontratë koncesioni 30-vjeçare në një sipërfaqe prej 121 hektarësh në qarkun e Durrësit, në bregdetin e Adriatikut, rreth 30 kilometra nga Tirana, kryeqyteti i vendit. Projekti do të përfitojë nga potenciali shumë i madh i rrezatimit diellor të rajonit”.
Ky terr informues apo shmangie e transparencës publike nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, evidentohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas KLSH: “Midis MIE dhe V. është lidhur Marrëveshja për zhvillimin e projektit lidhur me projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e impiantit fotovoltaik me vendndodhje në Spitallë, Durrës, Shqipëri, nr. 4210/2 prot., datë 31.05.2021. Pyetur mbi ecurinë e ndërtimit të projektit, Sektori i Programeve të Zhvillimit për Burimet e Rinovueshme dhe Eficiencën Energjetike shprehet se nuk ka informacion.”
Por a është vetëm kompania VOLTALIA me dokumentacion dhe lëvizje të dyshimta që operon në këtë fushë?!
Sipas dokumenteve rezulton se edhe “XHOSA ENERGY”, “Doko shpk” dhe “Albania Povver Core” janë themeluar po ashtu me 1 mijë euro kapital.
Një shkelje flagrante e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është evidentuar për këto procedura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Auditi financiar dhe përputhshmëria mbi veprimtarinë e ministrisë së Belinda Ballukut në shtator 2022 thekson qartë se ajo u ka dhënë dorë të lirë këtyre kompanive të veprojnë pa asnjë monitorim. Ky proces do të mund të siguronte shmangien e abuzimit me paratë dhe pronat publike.
(KLSH https://panel.klsh.org.al/storage/phpxBopfH.pdf faqja 243 )
Në raportin e KLSH thuhet: “Pasi është kërkuar të vihet në dispozicion informacioni periodik i dërguar nga ana e subjektit, është vënë në dispozicion shkresa, protokolluar në MIE me nr. 10916 prot., datë 27.12.2019, në të cilën shoqëria shprehet se është në proces të amendimit të kontratës me kompani të huaja prodhuese të paneleve, si dhe është në kontakte të vazhdueshme me banka të nivelit të dytë për sigurimin e burimeve të financimit”.
Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikes nuk rezulton të ketë asnjë formë mbikëqyrje ose monitorimi, duke deleguar plotësisht monitorimin te AKBN.
Këto fakte hedhin dyshime të forta se, këto kompani fantazmë mund të sigurojnë kredi nga bankat e nivelit të dytë për të zbatuar projektet e tyre, sikurse ndodhi vite më parë me Rafinerinë e Ballshit, e cila nga një projekt për t’u investuar aty tashmë përfundoi në shitje për skrap.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co