Pas pesë muajsh kaos, Kuvendi i Shqipërisë mban sot seancën e parë normale.
Pas arritjes së një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës, në rend të ditës sot është përfshirë ngritja e dy komisioneve hetimore, komisionit hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-Up në Shëndetësi dhe komisioni për Trajtimin e të
Dhënave të Sistemit TIMS.
Në rend të ditës është përfshirë edhe Akti normativ nr.1, datë 21.2.2024 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe disa projektligje si ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”, si dhe projektligjin “Për sigurinë kibernetike”.
Po ashtu, Kuvendi pritet të diskutojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.
Në rend të ditës në seancën e sotme është edhe projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë”, projektvendimet për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Statistikave si dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar”.
Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për miratimin e disa ndryshimeve në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Autoritetit të Konkurrencës”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co