Bardhyli: Letërsia shqipe pjesë e diskutimeve ndërkombëtare
Pas nismave të ndërmarra për leximin dhe nxitjen e shkrimtarëve të rinj duke krijuar platforma botimi e promovimi, Shqipëria merr pjesë edhe këtë vit në Panairin e Lajpcigut, duke ju bashkuar jo vetëm një feste europiane të librit, por edhe duke synuar shkëmbime kulturore, takime e diskutime që do të shërbejnë edhe për t’u njohur me mënyrat më kreative të nxitjes së leximit dhe afrimit të brezave të rinj me librin. “Eshtë një ngjarje për librin botëror, ndaj pjesëmarrja e letërsisë shqipe në hapësira të tilla komunikimi është e rëndësishme, për të qënë pjesë e lëvizjeve dhe diskutimeve që mbahen sot në një nivel global”, thotë Alda Bardhyli, Drejtore e QKLL. Panaire të këtij lloji në Europë ku bëhen bashkë lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë, mbërrijnë edhe si formë komunikimi mes kulturave të ndryshme dhe si mundësi prezantimi për t’u përcjellë letërsia shqipe në disa gjuhë të botës. Panairi Ndërkombëtar i Librit, Lajpcig 2024, do të mbahet nga data 21 deri 24 mars 2024.
Motoja e Panairit të Lajpcigut për vitin 2024 është “Kush lexon ende?”, (Who’s still reading?) ndërsa vetë motoja e stendës së Shqipërisë është “Mos vështro pas” (Don’t look back), një reflektim mbi historinë, të shkuarën por edhe të ardhmen nën një koncept filozofik përmes leximit.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në këtë ngjarje të madhe të librit botëror, nga data 21-24 mars do të ketë një program të mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip në kontekste më të gjera hapësirash dhe letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën si dhe përkthimin. Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, një traditë tashmë, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përgjatë ditëve të panairit synon ndërtimin e disa paneleve diskutimi me shkrimtarë të rinj dhe të konfirmuar.E ardhmja përmes librit do të vijë në refleksionet e autorëve të rinj shqiptarë, përballë një audience të gjerë. Nën titullin “A Brave Neë Ëorld”, shkrimtarët e rinj, Suad Arilla, Brajan Sukaj dhe Dionis Prifti, Flogerta Krypi, nën moderimin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, do të diskutojnë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë, mbi sfidat që ata përballen si shkrimtarë të rinj, mbi identitetin e kufijtë letrarë, mbi promovimin e emrave të rinj në larminë e qindra mijëra titujve që zënë stendat e janë emra të konsoliduar në letërsinë europiane e atë botërore.
Duke qenë se Panairi i Librit në Lajpcig është edhe një formë komunikimi mes kulturave të ndryshme, një tjetër panel diskutimi do të ketë pikërisht temën e kufijve letrarë.
Nën titullin Beyond Borders – Përtej Kufijve, shkrimtarë dhe studiues si Mimoza Hysa, Rita Petro, Beqë Cufaj, Mladen Veskoviç, do të diskutojnë mbi letërsinë si një pikëtakim kulturor mes të ndryshmëve, një udhë e ndërmjetme që na vë të diskutojmë, të dialogojmë e të njohim tjetrin.
Letërsia shqipe në Gjermani do të jetë një tjetër tematikë që do të diskutohet në Panairin e Librit në Lajpcig.
Një diskutim për këtë tematikë do të vijë nën titullin “Kuteli dhe Agolli në gjermanisht” ku do të ndajnë idetë e tyre aurtorja austriake Andrea Grill si dhe studiuesja Loreta Schillock, e njohur në kulturën dhe në letërsinë shqiptare si përkthyese nga gjuha shqipe në gjermanisht dhe nga gjermanishtja në shqip nën moderimin e studiueses Mimoza Hysa.
Një tjetër diskutim me titullin “Letërsia shqipe në Gjermani” do të bëjë bashkë drejtoren e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe Fazli Gajraku, drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të cilët do të diskutojnë mbi veprat e autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhën gjermane dhe nevojën që ka letërsia shqipe për t’u përkthyer në gjuhë e kultura të tjera.
Krahas panairit, mbahet edhe festivali i leximit “Leipzig liest”(Lajpcigu lexon), që jo vetëm nxit te fëmijët dhe të rinjtë marrëdhënien me librin, por ofron platforma frymëzuese dhe e kthen qytetin në festë duke përfshirë, libraritë, kinematë, muzetë dhe galeritë që hapin dyert në mbrëmje për të përqafuar letërsinë.
Shqipëria u bë pjesë e Panairit të Lajcigut për herë të parë në vitin 2015.
Programi i detajuar i Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Librit, Lajpcig 2024
E ENJTE, 21 MARS 2024, ORA 11:30 TRADUKI Kafana
Hapja e Stendës së Tradukit me praninë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse të Tradukit.
E ENJTE, 21 MARS 2024, ora 17:00 – 17:30, TRADUKI Kafana
Titulli : “Vrima” nga Rita Petro në gjuhën gjermane.
Pjesëmarrës: Rita Petro Moderatore: Loreta Schillock
E PREMTE, 22 MARS 2024, ORA 12:00 – 13:00 Forum Ëeltëeit
Titulli: A Brave Neë Ëorld – Shkrimtarët e rinj në Lajpcig
Pjesëmarrës: Flogerta Krypi, Suad Arilla, Brajan Sukaj, Dionis Prifti
Moderatore: Alda Bardhyli Përkthyese: Zuzana Finger
E PREMTE, 22 MARS 2024, ORA 13:30 – 14:00 TRADUKI Kafana
Titulli: Tirana, një ëndërr e shkurtër me Stefan Çapalikun
Pjesëmarrës: Stefan Çapaliku Moderatore: Shqipe Sylejmani Përkthyese: Zuzana Finger
E PREMTE, 22 MARS 2024, ORA 17:00 – 18:00 TRADUKI Kafana
Titulli: Beyond Borders – Përtej Kufijve
Pjesëmarrës: Mimoza Hysa, Rita Petro, Beqë Cufaj, Mladen Veskoviç
Moderatore: Alda Bardhyli Përkthyese: Zuzana Finger
E SHTUNË, 23 MARS 2024, ORA 16:00 – 17:00 Stenda e Shqipërisë
Titulli: KUTELI dhe AGOLLI në gjermanisht
Pjesëmarrës: Andrea Grill, Loreta Schillock Moderatore: Mimoza Hysa
E DIEL, 24 MARS 2024, ORA 13:00 – 14:00 Stenda e Kosovës
Titulli: Letërsia shqipe në Gjermani
Pjesëmarrës: Alda Bardhyli, Fazli Gajraku
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co