Bayern merr fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa triumfoi 2-5 ndaj Darmstadt. Vendasit realizuan të parët. Në minutën e 28-të, Honsak dribloi mjaft bukur para zonës, për të shërbyer më pas për Skarke, i cili me një të djathtë tokazi mposhti portierin Neuer.
Gjithsesi, në të 36-tën, kampionët e Gjermanisë rikthyen ekuilibrat me Musialën. Brenda pjesës së parë, bavarezët përmbysën shifrat. Kimmich krosoi për Kane, me sulmuesin anglez që me një koordinim perfekt me kokë dërgoi në festë tifozërinë. Pretendimet nga Darmstadt se topi kishte kaluar vijën në momentin e krosit të Kimmich nuk u morën parasysh, arbitri Reichel konsideroi golin e rregullt, natyrisht vendim ky i marrë pas një komunikimi me kufje me dhomën e VAR.
Bayern në pjesën e dytë mbylli një herë e mirë llogaritë e këtij takimi. Fillimisht Musiala e më pas Gnabry e Tel futën 3 pikët në kasafortë. Oscar Vilhelmsson, në shtesë, dërgoi shifrat në 2-5.
Kështu, ekipi i Tuchel renditet në vendin e dytë me 60 pikë, 7 më pak se Leverkusen kryesues, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e vet për këtë javë.
Vetëm vendi i fundit për Darmstadt, mbijetesa mbetet vërtetë një “malore’ për ta, në një sezon që ashtu siç pritej, po rezulton mjaft i vështirë. Gjasula me shokë duken se kanë marrë rrugën për në Bundesligën e dytë gjermane, vetëm matematika i mban në lojë.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co