Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ankesën e mbrojtësit të akuzuarit XH.B, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.121/22, të datës 01.12.2023, e ka vërtetuar. Kurse ankesën e të dëmtuarës S.M, lidhur me pjesën liruese, e ka hedhur poshtë si të palejuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.121/22, të datës 01.12.2023, të akuzuarin XH.B, e ka shpallur fajtor, për veprat penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 të KPRK dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK dhe të njëjtin person e ka gjykuar me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 06.04.2021 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, si dhe të njëjtit individ i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues lidhur me konfiskimin e një arme të zjarrit – pushkë gjuetie, si mjet i kryerjes së veprës penale, shkruajnë mediat e Kosovës.
Gjithashtu të akuzuarin e ka obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës, ndërsa në emër të vendimit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 (njëqind) euro, si dhe në emër të fundit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Ndërsa të dëmtuarit S.M, V.M, D.M, dhe V.M1 i ka udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest të rregullt civil.
Kurse të akuzuarin A.B, për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 e lidhur me nenin 31 të KPRK, e ka liruar nga akuza, me arsyetim se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se ky person ka kryer veprën penale që sipas aktakuzës i vihet në ngarkim. Sa i përket shpenzimeve të procedurës penale, lidhur me të akuzuarin A.B, është vendosur që të bien në ngarkim të mjeteve buxhetore të gjykatës.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co