Roma ka marrë fitoren e dytë në po kaq ndeshje nën drejtimin e De Rossit. Një sukses 1-2 ndaj Salernitanës, në një sfidë që rezultoi mjaft komplekse. Në pjesën e parë, vendasit nga Salerno ishin më kërkues dhe vendosën disa herë në vështirësi kundërshtarin. Gjithsesi, tentativat e të besuarve të Filippo Inzaghit gjetën përgjigjen e portierit Rui Patricio.
Skuadra e De Rossit shpërdoroi një mundësi të mirë për të realizuar në minutën e 45-të. Nga një pozicion i favorshëm në një goditje dënimi, Lorenzo Pellegrini s’u koordinua si duhet, duke dërguar topin mbi portë. Roma e filloi në sulm pjesën e dytë dhe fitoi penallti pas një prekje me dorë në zonë. Nga pika e bardhë e 11-metërshit Paulo Dybala nuk fali, duke dërguar në festë tifozërinë.
Në të 66-tën, mysafirët “tundën rrjetën” me Pellegrini. Salernitana, katër minuta më pas, shkurtoi diferencat me Kastanos. Në fund nuk mungoi tensioni, pretendime për penallti nga Candreva me shokë, por arbitri Di Bello nuk kishte të njëjtin mendim. Me këtë rezultat, Roma është e pesta në rënditje, Salernitana mbyll klasifikimin.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co