Ministri Hasani në Hungari deklaroi se humbja e Ballkanit Perëndimor nuk është një opsion për BE-në, kjo do dëmtonte seriozisht kredibilitetin e saj
Kështu u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij në Akademinë Diplomatike të Budapestit, ku foli rreth perspektivës së Shqipërisë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Hasani theksoi se sot rajoni e gjen veten në një moment veçanërisht të paparashikueshëm dhe se, sipas tij, integrimi në BE është garancia e vetme për një Ballkan Perëndimor paqësor, të sigurt dhe të begatë.
“Roli i Shqipërisë në promovimin e bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, angazhimi i saj me “armiq historikë”, edhe në rrezik të kostove politike brenda vendit dhe ndërmjet shqiptarëve në rajon, është i njohur gjërësisht dhe dëshmon angazhimin tonë në idenë e nxitjes së bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha ai.
Kryediplomati shqiptar nënvizoi gjithashtu rëndësinë e miratimit të një qasjeje të qëndrueshme strategjike të BE ndaj rajonit tonë dhe integrimit të tij.
“Ne besojmë se integrimi rajonal është një faktor kyç për të ardhmen tonë. Është i qenësishëm për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe është vendimtar për integrimin në BE. Ka një rënie të mbështetjes për procesin e integrimit në BE dhe rënie të besimit në BE. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të ecë përpara dhe gjendja e Bosnje Hercegovinës duhet të trajtohet urgjentisht. Zgjidhja e këtyre dy situatave do të heqë padyshim dy pengesa të rëndësishme në rrugën e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal”, deklaroi ministri në fjalën e tij.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari. Në përfundim të kësaj vizite, Ministri Hasani do të niset drejt Spanjës, ku gjithashtu zhvillon një vizitë zyrtare.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co