Juve frenon sërish, këtë herë në një “X” përballë Atalanta-s, një barazim që i kushton jo pak “Zonjës së Vjetër”, me bardhezinjtë që lëshojnë vendin e dytë, tani pronë e “djallit”.
Me shiritin e kapitenit në krah, Berat Gjimshiti ishte një nga protagonistët e këtij takimi.
[embedded content]
Bergamaskët kaluan të parët në avantazh, me një skemë perfekte nga goditja e dënimit, e ekzekutuar nga Koopmeiners në minutën e 35-të. Juve reagoi fuqishëm me fillimin e pjesës së dytë duke barazuar shifrat me Cambiaso-n në minutën e 66-të. Jo vetëm kaq, katër minuta më pas, Milik brenda në zonë u tregua i saktë duke përmbysur rezultatin, me tifozët që shpërthyen në “Allianz Stadium”. Nuk ishte e thënë që “Zonja e Vjetër” të dilte me pikë të plota, pasi në minutën e 75-të, Gjimshiti dhuroi një super asist për Koopmeiners, me holandezin që u tregua i saktë duke sigluar shifrat përfundimtare në 2-2. Në përfundim të sfidës, Gjmshiti ishte një nga lojtarët më të vlerësuar në radhët e Atalanta-s, nota 6 për kapitenin kuqezi.
Nuk e bën dramë këtë “X” përballë Atalanta-s trajneri i Juves, Max Allegri: “Juve zhvilloi një ndeshje të mirë, kundër një Atalanta të mirë. Duhet të qëndrojmë të qetë, rikuperuam një pikë në raport me Bologna-n dhe ruajtëm distancën me Atalanta-n. Objektivi është vendi i katërt”, i shpreh Allegri pas ndeshjes. Për momentin, Juve ndodhen në vendin e tretë në kuotën e 58-të pikëve, 7 pikë më shumë se Bologna.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co