Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, iu është bashkuar urimeve me rastin e 8 marsit, festën e gruas. Në një mesazh, Nikolla bën thirrjen që të investohet te gratë, për të përshpejtuar progresin.
“Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, uroj nga zemra të gjitha nënat, motrat, bashkëshortet dhe vajzat shqiptare. Këtë vit, tema e përzgjedhur për të kremtuar këtë ditë domethënëse është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin.”. Asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta përshpejtojë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.
Këtë prag 8 Marsi, bashkë me gratë kryeparlamentare nga të pesë kontinentet, u mblodhëm në Paris në Samitin Botëror, themeluam Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratuam Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave, në të cilën u bëmë thirrje parlamenteve të të gjitha vendeve të vendosin të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në krye të agjendave parlamentare.”, -thuhet në mesazhin e Nikollës.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co