Erdhën nga Kardhiqi për punë hasmërie. Fisi Xhafaj në Autokton. Kush ishte Ahmet Durmishi?

erdhen nga kardhiqi per pune hasmerie fisi xhafaj ne autokton kush ishte ahmet durmishi

Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua këtë të dielë veprimtaria dhe figura e krahut të djathtë të Ismail Qemalit, Ahmet Durmish Xhafaj

Ekziston një lagje në qendër të fshatit e cila popullohet nga mbiemri Xhafaj. Rezulton se i pari i tyre, Xhafua, ka ardhur nga Kardhiqi për punë hasmërie rreth viteve 1730-1750. Për këtë fis flasin dokumentat, flet historia. Pavarësisht nga pasuria që zotëronin si të parë të fshatit, ata i çmonin, respektonin dhe i ndihmonin të tjerêt. Thuhet se Xhafajt mbas draprit nuk i mblidhnin kallinjtë në arat me grure apo ullinjtë që binin nga era, përkundrazi, njoftonin familjet e dobëta ekonomikisht të dërgonin gra e fëmijë për t’i mbledhur. Edhe kur jepnin hua, borxhliun nuk e shtrëngonin, por i thoshin “silli kur t’i kesh” edhe i falnin. Para Çlirimit, duke qenë se kishin prona të shumta, merrnin edhe punëtorë, bujq apo blegtorë. Kanë qenë shumë të zotë dhe ekonomikisht në gjendje, që kanë ndjekur gjyqe në nivel nahije apo kazaje. Ekzistojnë dokumenta që tregojnë për një kontratë qeraje të lidhur që në fundshekullin XVIII.
Sanxhaku i Beratit, Dosja nr. 1, Nr. Fletëve 2, 1791-1900
Ahmet Beu nga Vlora ia jep me kontratë Hasin e Karbunarës për 180 mijë akçe Durmishit të Xhafës nga Karbunara
. Këtë kontratë e aprovon kajmekami i Vlorës Xhafer Pasha
Hasan Qehajaj nga Kutallija ia jep me kontratë Hasin e Karbunarës për 20 mijë akçe Durmishit të Xhafës nga Karbunara.
Viti 1207 (1791)
Dosja 346, copë 1, Viti 1847
Një akt që zgjidh konfliktin për një kullotë të Zego Xhafës nga Karbunara e Koculi për kullosa në Treblovë Viti 1847 (Dosja 1791-1900)
Përkushtimi ndaj interesave të atdheut përshkon si një fill i kuq të shkuarën e tyre historike, deri në ditët tona. Nga Ahmet Durmishi në vitet e pavarësisë te Namiku në luftën për çlirimin e vendit, Xhafajt gjithmonë e kanë dhënë fjalën e tyre si e kërkonte situata dhe ashtu siç e kërkonte nderi i këtij fisi e fshati. Prej tyre kanë dhënë jetën 2 dëshmorë. Xhafajt gjithmonë e kanë dashur, respektuar dhe i kanë dalë për zot fshatit duke ndikuar në unitetin dhe kompaktësinë e tij. Këto janë vlera të veçanta.
Fisi Xhafaj është fis i madh, struktura e tij përbëhet nga 7 degë të një trungu të cilat përdorin mbiemrin e përbashkët ”
Xhafaj”
I pari i degës së Ahmet Durmish Xhafaj është Zeqo Xhafua i parë, i cili organizoi dhe drejtoi Çetën e Karbunarit në mbështetje të kryengritjes së Rrapo Hekalit, në verën e vitit 1847. Zeqo Xhafua mori pjesë në Kuvendin e Sinjës (Berat) në 1847.
Gjithashtu Zeqo Xhafo Karbunari mori pjesë bë firmosjen e letrës që iu dërgua mbretit Oton të Greqisë në 15.08.1847, ku firmosën 89 firma. Por edhe i biri i Zeqo Xhafës, Durmishi, luftoi me këtë çetë dhe u plagos kundër hordhive turke.. Pas dështimit të kryengritjes i përndoqi dhe syrgjynosi Turqia në Alepo…

Ahmet Durmish Xhafaj
Lindi më 18 mars 1875. Shkollën e mesme dhe të lartë për Administratë Civile i kreu në Stamboll në vitin 1900. Një kohë të gjatë në Stamboll banonte në shtëpinë e Ismail Qemalit dhe kishte miqësi me vëllezërit Frashëri. Në vitet 1900-1904 punoi në prefekturën e Konjës. Më 1904-1908 shoqëroi Ismail Qemalin në vizitat që bëri në Vlorë dhe tek arbëreshët e Italisë, në Siçili. Qysh prej asaj kohe u kthye në qytetin e Vlorës. Ishte anëtar i klubit atdhetar “Laberia” të Vlorës 1908.
Në korrik të vitit 1911, ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Drashovicës, në përkrahje të Memorandumit të Gërçes. Në vitet 1909-1911 bashkëpunoi me çetat e kapedanëve Namik Delvina, Sali Vranishti dhe Alem Mehmeti. Mori pjesë në mbledhjen e Qishbardhës, ku u caktua si delegat së bashku me Mahmud Qemalin, për t’i kërkuar Fuqive të Mëdha autonominë e Shqiperisë. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe ngritjen e flamurit në Vlorës, më 28 nëntor 1912, Ahmet Durmishi u emërua prefekt i Vlorës. U bë mbështetje e fuqishme e Ismail Qemalit në realizimin e programit të Qeverisë së Vlorës. Në vitin 1913, Ismail Qemali e ngarkoi me detyrën që, në krye të 300 luftëtarëve të shpartallonte rebelët në zonën e Cakranit. Në korrik 1913 shoqëroi Ismail Qemalin në vizitat e tij në krahinën e Mesaplikut. Ishte ndër organizatorët e Kuvendit të Vlorës, ku Ismail Qemali krijoi Komitetin e Shpëtimit Kombëtar, korrik 1914. Në gusht 1914, u caktua në komisionion e Vlorës, për t’u takuar me rebelët në Peshtan të Fierit. Ai mbështeti fuqimisht anëtarët e komisionit, për të mos u hequr flamuri kombëtar. Pushtimin italian të vendit e priti me zëmërim të madh. Së bashku me Ibrahim Abdullahun, Ymer Radhimën e Osman Haxhiun, kishin korrespondencë me Ismail Qemalin dhe e informonin në Nicë të Francës për gjendjen politike të vendit. Në vitin 1915, së bashku me Ibrahim Abdullahun e Bexhet Shapatin shkuan në Itali dhe u takun me Ismail Qemalin. Mori pjesë në Luftën e Vlorës 1920, kundër pushtuesve italianë dhe përkrahu Qeverinë e Fan Nolit në vitin 1924. Vdiq në vitin 1937.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →