Bepe Marota është protagonisti krye sor i rrëfimit në “Sky Sport”. Në specialen e realizuar nga media italiane të titulluar “Viti i Interit”, presidenti i zikaltërve rrëfen sezonin e jashtëzakonshëm dhe planet për të ardhmen. “Ky nuk ishte viti im, por ishte viti i Interit. Janë bërë bashkë dy situata. Unë kam marrë shumë nga Interi dhe i kam dhënë eksperiencën time në arritjen e objektivave që ka kjo skuadër”, tha numri një i klubit kampion të Italisë.
STATUSI- Sipas tij, statusi i arritur nga Interi është ai i kohëve të arta. “Interi është rikthyer të jetë një nga protagonistet kryesore të Italisë. Jemi në skenën ku e kërkon historia e këtij klubi, e cila thotë se janë fituar shumë trofe. Por me pronarët e rij duam që t’i japim vazhdimësi këtij projekti dhe të vazhdojmë të fitojmë. Unë dua të falënderoj drejtuesit e rinj për besimin që më kanë dhënë. Të jem president i Interit është diçka e jashtëzakonshme për karrierën time. Gjithmonë në optikën time për të bërë rrugë fituese dhe me rezultate pozitive. Nuk ka shumë ndryshime në krahasim me pronarët e vjetër. Thjesht dedikimi dhe impenjimi është akoma më i madh”, shpjegoi Marota.
INZAGI- Sipas tij, trajneri i Interit është një profesionist i vërtetë dhe po ndihmon skuadrën në arritjen e rezultateve. “Është një profesionist i madh dhe një person inteligjent. Ka arritur duke mbajtur një profil të ulët në skuadër, pa bërë shumë bujë. Ka arritur fitore falë bindjes së tij. Është një lider në grup dhe di që të përfshijë kulturën e punës, pasionin e tij dhe ndenjën e përkatësisë. Të gjitha këto komponentë e kanë bërë që të shkojë larg, por edhe falë punës së të gjithë klubit. Ne respektojmë të gjithë rolin e njëri-tjetrit. Auzilio si drejtor sportiv është ai që flet më shumë me Inzagin, por duke qenë se futbolli është lojë skuadre edhe ne si skuadër flasim thuajse përditë. Ku bëhet diskutimi? Varet nga mesazhi që duam të përçojmë. Vendi institucional është zyra në klub ose në qendrën stërvitore. Është një avantazh që kam. Në të kundërt, dialogun mund ta bëjmë edhe në një restorant apo në një hotel”, shtoi Marota.
FUSHA- Nga klubi në fushë. Marota spostohet për të shpjeguar principet e tij dhe zgjedhjet që ka bërë për të ndërtuar skuadrën. “Nëse ke 11 talente nuk fiton asnjë kompeticion. Duhet që të miksosh të rinjtë me ata më të vjetrit. Skuadra i ka të dyja komponentët, dinamizmin e rinisë dhe qetësinë e eksperiencës. Pastaj është edhe grupi italian në ekip që na jep një avantazh. Mendoj se rezultatet e arritura e demonstrojnë këtë. Në Itali kampionati është unik dhe i veçantë. Nuk ka asnjë tjetër kampionat me kaq shumë presion. Për ne është një krenari që kemi kaq shumë lojtarë në kombëtaren italiane”, tha presidenti.
ORGANIKA- Ai më tej tregoi për politikat që kanë pronarët e rinj dhe dëshirën për të pasur një skuadër më të re në moshë. “Oaktree gjithashtu ka ardhur në qetësi, por në mënyrë konkrete dhe prezente në klub. Raporti është shumë pozitiv dhe aspekti ekonomik është duke u përmirësuar. Sigurisht që duam të kemi një skuadër kompetitive, por duke ditur edhe limitet ekonomike, në aspektin e kostos së punës, një moshë mesatare që mund të na garantojë të ardhmen. Në sezonin e ardhshëm do të jemi sërish kompetitivë, por me disa lojtarë më të rinj sesa këta aktualët, por që kamë kualitet, profesionalizëm dhe ambicie”, theksoi ai.
POLITIKA- Intervista fokusohet gjithashtu edhe në figurën politike të Marotës, ku disa e konsiderojnë si personazhin më potent të futbollit italian. “Jo. Unë jam thjesht një person që ka arritur gjithçka falë punës dhe eksperiencës sportive. E njoh mirë këtë sektor duke e nisur që shumë i ri. Sistemi i futbollit? Duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të çuar përpara një fenomen që na nxjerr zbuluar kur përballemi me kombëtaret e tjera. Por pak nga pak jemi duke u rikthyer. Atalanta ka fituar Europa Ligën dhe kjo është diçka e bukur. Duhet që pak nga pak t’u japim edhe më shumë hapësira të rinjve”, theksoi Marota.
E ARDHMJA- Në fund iu përgjigj edhe lajmeve apo thashethemeve që një ditë e shohin si president të federatës në Itali apo Ministër të Sportit. “Unë jam shumë mirë tek Interi. Shpresoj që të kontribuoj për të marrë rezultate pozitive dhe për t’i mbajtur ato. Jam një i apasionuar pas futbollit dhe sportit. Jam i lumtur për karrierën time dhe që po bëj presidentin e Interit. Është një rol që më pëlqen shumë. Pastaj sigurisht që shoh edhe çfarë ndodh përreth. Sa i përket ministrit Abodi ai është modern dhe po bën gjëra pozitive”, përfundoi Bepe Marota.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL