Thomas Strakosha ka ngjallur gjithmonë shumë diskutime sa i përket performancave të tij, si në ekip ashtu edhe në Kombëtare. Vite më parë Strakosha ka kaluar një sezon të artë me Lacion, ku së bashku me Donarumën, luftonin për prestigjin e portierit më të mirë në Serinë A.
Megjithatë me kalimin e kohëve, Strakosha jo vetëm që nuk u zhvillua, por pati shumë regres. Aktualisht portieri shqiptar është pjesë e AEK dhe ka pësuar golin e parë në ndeshjen që po zhvillohet kundër Panserrikos, ndërsa ndeshja vazhdon ende në shifrat 1-0.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 23 nga penalltia. Këtë herë duhet të ndalemi pak në statistikat e portierit shqiptar. Në bazë të Transfermarkt, thuhet se portieri shqiptar ka qenë 61 herë në situata të tilla si në minutën e 23 të ndeshjes së sotme, ku duhej të mbronte portën nga një 11 metërsh.
Sigurisht, një mision i tillë është shumë i vështirë, por statistikat e Strakoshës janë të frikshme. Nga 61 tentativa të kundërshtarit nga 11 metrat, Strakosha ka pësuar 57 gola dhe ka pritur vetëm 4 penallti. Një rekord negativ ky që tregon se Thomasi nuk di të lexojë kundërshtarin nga penalltia e jo më ta hipnotizojë atë.
Nga krahu tjetër, penalltia e fundit që Strakosha ka pritur i përket vitit 2019 kur ishte pjesë e Lacios, pra përpara 5 vitesh. Dhe për të kuptuar më tepër rreth statistikës, duhet të përmendim se Etrit Berisha nga 46 herë që ka qenë në një moment të tillë para kundërshtarit nga 11 metrat, ka pritur 11 penallti dhe ka pësuar 35 gola. Pra shifra dhe statistika këto shumë herë më të mira sesa Strakosha. /Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news