Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me raportin e UNICEF që ngrinte shqetësimin e kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë.
Përmes një dalje për mediat, koordinatorja për departamentet në PD, Silvi Bardhi theksoi se UNICEF hedh dritë mbi situatën skandaloze të kequshqyerjes në Shqipëri. Bazuar te ky fakt dhe te raporti i UNICEF, sipas PD-së, barra e fajit bie mbi institucionet e varësisë qeveritare.
DEKLARATA E KOORDINATORES PËR DEPARTAMENTET NË PD, SILVI BARDHI:
Shqipëria, vendi i pasur me burime natyrore, klimë të jashtëzakonshme për të mbjella të të gjitha kulturave bujqësore, reliev të përshtatshëm për mbarështimin e prodhimeve blegtorale, ka fëmijë të kequshqyer.
Një raport me shifra alarmante është publikuar nga UNICEF ku Shqipërinë e pozicionon në nivele skandaloze të të kequshqyerit të fëmijëve.
Shqipëria është thuajse ne nivelin e vendeve në konflikt të armatosur si Iraku, Kenia, Çadi, Ruanda etj.
76 mijë nga mosha 0 deri 5 vjeç, ose 47% e fëmijëve shqiptarë janë në varfëri ushqimore, pra pa minimumin e ushqimit. Kjo grupmoshë, e cila e ka të nevojshme zhvillimin fizik dhe mendor, nuk ka kushtin minimal. Këto pasoja të kequshqyerjes tek fëmijët, sipas UNICEF mund të zgjasin përgjatë gjithë jetës. Sipas raportit 47% e fëmijëve shqiptarë ushqehen vetëm me qumësht gjiri, produkte qumështi, një lëndë bazë niseshteje, orizi, misri ose gruri.
Po të analizojmë, një pjesë e madhe e fëmijëve të familjeve shqiptare rriten në kopshte dhe çerdhe publike, një pjesë rritet në shtëpi ndërsa një pjesë e vogël në institucione private me çmime tepër të kushtueshme.
Bazuar te ky fakt dhe te raporti i UNICEF, barra e fajit bie mbi institucionet e varësisë qeveritare. Vjedhja dhe abuzimet që bëhen me dietën e fëmijëve është makabritet. Të mos harrojmë se shumë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme në fshatra dhe zona të varfra ku prindërit i rrisin pa asnjë mbështetje nga shteti.
Është kriminale të shohësh statistika të cilat të rendisin të fundit bashkë me vendet me burime të varfra natyrore apo ne lufte.
Lakmia e këtij pushteti nuk njeh kufij as tek fëmijët. Ndaj edhe shqiptarët largohen, sepse mendojnë vetëm për të ardhmen dhe sigurinë e fëmijëve të tyre. Partia Demokratike ka alternativën e saj të sigurt për të fituar betejën ndaj varfërisë. Që në muajt e parë të qeverisjes tonë do të vendoset minimumi jetik në masë prej të paktën 210-220 euro. Një qeveri që vjedh bukën e përditshme të fëmijëve duhet larguar një ditë e më parë. Ne nuk jemi të varfër, por të vjedhur!
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co