Tirana ka arritur të marrë një rezultat të rëndësishëm në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës, takim ky i luajtur në “Elbasan Arena”. Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi triumfoi 3-0, duke i bërë gjërat edhe më të thjeshta për aktin e kthimit.
Bardheblutë do mbyllnin pjesën e parë në mënyrën më të mirë të mundshme. Florent Hasani tregon klasin e tij në minutën e 43-të, teksa një goditje e bukur e tij me të majtën përfundon pas shpinë së Qirkos.
Në minutën e 65-të, gjatë zhvillimit të një këndoreje, Bruno Lulaj nga fare pranë portës gjen golin duke dërguar në festë tifozërinë kryeqytetase.
Nuk do vononte shumë edhe goli i 3-të. Do ishte Lushkja që do finalizonte si duhet para portës, duke hedhur në “tapet” durrsakët. Ndeshja e kthimit luhet me 11 maj dhe do përcaktojë finalistin e Kupës.
Vllaznia ka barazuar 1-1 në Shkodër me Egnatian.
Pas vetëm çerek ore lojë, rrogozhinasit do i afroheshin golit me Dwamena, por sulmuesi do gjente vetëm shtyllën me një goditje nga larg. Shkodranët do provonin të takoheshin me golin në pjesën e parë, por pa ia dalë dot.
Dwamena do shndërrohej në protagonist absolut në minutën e 69-të, kur i driblon të gjithë dhe shënon.
Gjithçka nis nga një kundërsulmon, i cili rezultoi vrasës. Ekipi i Sedloskit pati shansin e artë për të vendosur ekuilibër, Latifi bën mëkat, pasi nuk përfitoi dot nga një top i mbetur në zonë dhe gjuajti keq. Barazimi erdhi në limite nga Hoxhaj. Sfida e kthimit luhet me 11 maj.