Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë hapat ligjor duke paditur për shpifje ish-futbollistin, Shefki Kuqi, i cili në një deklaratë publike në televizionin ATV, gjatë emisionit “Favoriti i Botërorit” ka deklaruar se në fundvitet 90-ta i janë kërkuar para për tu pajisur me pasaportë shqiptare dhe përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë.
Padia e FSHF ndaj Shefki Kuqi është pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është regjistruar me numër C.nr. 119/22.
Ndryshe, Kuqi përfaqësoi kombëtaren e Finlandës me të cilët numëron 63 ndeshje dhe shtatë gola.
“Dëshira ime para se të zgjidhja Finlandën ishte, unë kam tentuar dhe kam dashur të shkojë në Kombëtaren e Shqipërisë. Atëherë është dashur të japësh lek për të luajtur në kombëtaren e tyre, kështu që…”, kishte thënë Kuqi për ATV.
Sipas tij paratë i janë kërkuar nga ana e “federatës”, ndërsa shuma totale për të cilën flitej, shkonte në rreth “100-200 mijë euro”.
Kujtojmë që Kuqi kishte luajtur për klube të ndryshme evropiane, dersia shumicën e karrierës së tij e kaloi në ekipet angleze.
Fulham, Newcastle, Crystal Palace, Ipsëich, Swansea, etj., ishin disa nga klubet në të cilat luajti ish-futbollisti i lindur në Vushtrri.