Skuka rrëfehet për SuperSport. Sulmuesi dibran u bë futbollisti më i shtrenjtë i shitur nga klubet e Superiores. 24-vjeçari u transferua te francezët e Metzit për shifrën e 1.4 milionë eurove. Vlen të përmendet edhe se klubi i Partizanit ruajti edhe 20% të kartonit në rast rishitjeje.
Menjëherë pas prezantimit në klubin që militon në Ligue 2, sulmuesi i talentuar shqiptar dha një intervistë ekskluzive për SuperSport, ku rrëfeu emocionet e transferimit te Metz, skuadër e një qyteti ku Skuka ka jetuar edhe më herët dhe ka luajtur me ekipet e moshave.
“Ndihem i vlerësuar, pasi u bëra lojtari më i shtrenjtë. E dija që do të arrija lart, pasi kisha shumë besim te cilësitë e mia dhe te puna ime, ndaj e prisja. Fakti që kam jetuar këtu dhe që njoh mirë gjuhën, më ka ndihmuar shumë, në çdo gjë. Si në stërvitje, në të kuptuarit e ushtrimeve, në komunikim e çdo gjë tjetër”.
Sulmuesi 24-vjeçar ka bërë edhe stërvitjen e parë me klubin e tij të re, teksa për SuperSport rrëfen impresionin e parë për shokët e rij të skuadrës dhe bisedën me trajnerin e Metz, rumunin Laszlo Boloni.
“Janë të gjithë djem të rinj, përveç 3-4 lojtarëve me eksperiencë. Të gjithë janë djem të mirë, mosha ime dhe ndihem shumë mirë. Si ekip ka shumë cilësi, ka shumë teknikë, por ndoshta mungon pak agresiviteti. Gjëja e parë që më tha trajneri, është se kishte vlerësuar shumë agresivitetin te unë dhe priste që ta shpalosja në fushë, apo ta transmetoja edhe te shokët e skuadrës”, tha Skuka.