Ditën e sotme SPAK ka lëshuar një numër urdher-arrestesh për personat që kanë abuzuar tek inceneratori i Fierit.
Mes të arrestuarve është edhe biznesmeni Arben Dervishaj, i cili është dhe sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së njëkohësisht edhe zv.president i FSHF.
Arben Dervishaj është një nga njerëzit më të besuar të presidentit akutal të Federatës Armando Dukës, dhe gjatë zgjedhjeve të këtij viti, Dervishaj ishte një nga emrat kryesorë që bëri manipulime dhe presione flagrante në zgjedhjet që u zhvilluan në Shoqatën Rajonale të Gjirokastrës.
Gjithashtu, Dervishaj mbahet mend për deklaratën e tij skandaloze dhe ofenduese ndaj tifozëve shqiptar.
Kritikat e tifozëve për menaxhimin e FSHF-së si dhe cmimet abuzuese të biletave, Dervishaj iu përgjigjigj më një fjalor arrogant ku shprehej.
“Futbolli nuk është për hallexhinjtë”, shprehej atëherë ai. Pas këtij arrestimi në rrjetet sociale ka nisur ironia duke iu përgjigjur “As burgu nuk është vetëm për hallexhinjtë…”
Arrestimi i zv.presidentit të FSHF-së është njolla e radhës më e errët që i shtohet imazhit të sportit dhe institucionit të futbollit shqiptar që tashmë ka nën pranga një nga titullarët më të lartë dhe më të rëndësishëm.
Arben Dervishaj që njihet si një nga njerëzit më të afërt të Armand Dukës ka përfituar mbi 740 mijë dollarë ose 744 milionë lekë të vjetra për konsulencën e dhënë për inceneratorët, pronarit të kompanive Klodian Zoto.
Paratë rezultojnë të jenë marrë në 4 vite të ndryshme, përmes 21 faturave nga 2018-2021, në shuma te ndryshme që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 313 milionë lekë të vjetra në vit. Emri i tij doli në skenë në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e koncesionit të Tiranës, Arjola Kodra. Administratorja Kodra ka bërë të ditur se firma e “Integrated Energy BV SPV”, ka paguar konsulencën për kompaninë “Ave Consulting” sh.p.k.
Kjo kompani, sipas Arjola Kodrës, është supervizore e koncesionit! “Kush është supervizor? Shoqëria ‘Ave Consulting’ sh.p.k. Autori është zoti Arben Dervishaj”, iu përgjigj Arjola Kodra pyetjeve të kryetares së këtij Komisioni, Jorida Tabaku. Arben Dervishaj është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së prej dy mandatesh dhe njihet si një njeri i besuar i presidentit të FSHF-së, Armando Duka.