Projekti për stadiumin e Kukësit ka ndryshuar disa herë, madje paraqitja fillestare rezultoi edhe plagjiaturë, pasi pamjet e modelit të stadiumit të servirura në fillim rezultuan se ishim marrë nga interneti dhe bëhej fjalë për një impiant në Gjermani.
Maketi fillestar i paraqitur nga klubi në faqen zyrtare në tetor 2017 rezultoi një “copy paste” i stadiumit që po ndërtonte asokohe klubi i Ligës së Tretë gjermane, VFB Oldenburg.
Më pas projekti ndryshoi dhe autorësinë e morën specialistë vendas. Stadiumi “Kukës Arena” është një projekt i bërë nga arkitekti Ardian Mehqemeja dhe studioja arkitekturore AVE – CONSULTING.
Bëhet fjalë për një stadium sipas standardeve të UEFA-s, ku do të mund të realizohen ndeshje të Kupave të Europës.
Por natyrshëm lind pyetja se kush është studioja arkitekturore AVE – CONSULTING, që bëri projektin e stadiumit të Kukësit?
Nga një kërkim i thjeshtë në internet del se administrator i kësaj studioje është Arben Dervishaj, i cili në periudhën kur është miratuar projekti ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF dhe njëkohësisht edhe kryetar i infrastrukturës në federatë.
Pas asamblesë së fundit, Dervishaj është zgjedhur sërish anëtar i KE-së, por edhe zv.president i FSHF-së.
Jo vetëm si përgjegjës për infrastrukturën në FSHF, por edhe si ekspert i fushës në inxhinierinë e ndërtimit, Arben Dervishaj i ka ndjekur hap pas hapi punimet e stadiumit të ri, ku në disa raste ka dhënë edhe idetë e tij, që mund të kenë ndikuar edhe në ndryshimet që ka pësuar zbatimi i projektit gjatë rrugës, ku pjesë e saj ishte edhe ideja për ndërtimin e tribunës së katërt, në mënyrë që stadiumi i ri të ishte në të katër anët me tribuna.
Të shpeshta kanë qenë vizita e zv.presidentit të FSHF-së Arben Dervishaj në Kukës, gjë të cilën ai e ka pasqyruar edhe me postime në rrjetet sociale, apo me prononcime për mediat si nga terreni, por edhe studiot televizive. (Panorama Sport)