
Pau Kubarsi ishte një nga katër lojtarët e Barcelonës që gjetën rrugën e rrjetës kundër Atletikos së Madridit në barazimin spektakolar 4-4. Mbrojtësi shënoi golin e barazimit të përkohshëm 2- 2, duke u bërë i fundit në listë nga lojtarët e ekipit të parë që gjen rrjetën në këtë sezon.
Vetë ai e tha pas ndeshjes: “E prisja këtë gol dhe në festë putha stemën, sepse Barça është klubi i jetës sime”. Pak më shumë se një vit pasi bëri debutimin e tij me Ksavi Hernandezin në Kupën e Mbretit, mbrojtësi shënoi golin e tij të parë për ekipin e parë të Barçës. Me këtë gol të lojtarit të ardhur nga akademia e klubit, në ekipin e parë të Barcelonës ka mbetur vetëm një lojtar që ende nuk ka arritur të shënojë.
Kubarsi, i cili ka qenë një lojtar i ekipit të parë në çdo aspekt që nga fillimi i sezonit, nuk kishte bërë ende sefte, një objektiv që ai e arriti kundër Atletikos, duke ia lënë këtë sfidë vetëm një lojtari: Mark Kasado, edhe ai i bashkuar me ekipin e parë në verë, pasi e bindi trajnerin Flik gjatë turneut amerikan të Barcelonës. Pa llogaritur lojtarë si Gerard Martin apo Hektor Fort, të cilët janë në ekipin e parë, por kanë një kontratë rezervë, Kasado është i vetmi lojtar që ka mbetur për të shënuar. Lojtari nga Sant Pere de Vilamajor, i cili ka qenë lojtar i ekipit të parë për pak më shumë se gjashtë muaj, nuk është veçanërisht i njohur për aftësitë e tij si golashënues.
Gjëja e fundit që i kërkohet një mesfushori si ai (para mbrojtjes) është të shënojë gola, pasi ky nuk është roli i tij dhe ai nuk ka shënuar që kur ishte në ekipet zinxhir të klubit. Në sezonin 2021-22 ai shënoi tre gola në “División de Honor”, diçka që nuk mundi ta bënte kur bëri kërcimin te Barça Atletik (ekipi i të rinjve i Barcelonës) dhe që nuk e ka arritur ende me Hansi Flikun. Nga ana tjetër, lojtari i të rinjve ka arritur që në gjashtë raste të asistojë bashkëlojtarët këtë sezon.
Goditjet standarde – Shënimi i golave nga Barcelona nga shumë lojtarë nuk është e vetmja anë pozitive e ekipit të Flik. Tjetër aspekt i rëndësishëm është dhe mënyra e shënimit. Në këtë sezon Barcelona ka treguar aftësinë e saj për të shënuar shpesh përmes goditjeve nga këndi. Janë disa ndeshje ku Barça ka shënuar me lojën e ndaluar: kundër Atletikos në Kupën e Mbretit (2) kundër Vajadolidit, Jang Bojsit, Seviljes dhe Atalantës. Strategjia ishte sërish efektive me Kunde, Levandovski dhe Arauho si golashënues.
Dhe vazhdon. Gjithë kësaj serie golash nga goditjet e këndit apo goditjet e dënimit duhet t’i shtohen edhe golat e ardhur nga penalltitë, 8 deri tani këtë sezon. Shtatë mbajnë firmën e Levandovskit dhe një tjetër nga Rafinja. Veprime që punohen edhe në stërvitje nga laboratori i pandalshëm i Flik, i fiksuar për të përfituar sa më shumë nga kjo lloj loje.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL